Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka propozuar ushtarakun në pension, Eric Wendt, për ambasador në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, ku thuhet se “Eric Wendt, nga Kalifornia, pritet të jetë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë”.
Gjenerali Eric Wendt lindi më 7 tetor 1964, në Berkeley të Kalifornisë. Ai është një nga figurat e spikatura të ushtrisë amerikane, me një karrierë mbi tre dekada në shërbim aktiv.
Ai përfundoi detyrën e tij të fundit si komandanti i pestë i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s, nga i cili u largua më 29 janar 2021.
Gjatë karrierës së tij si oficer i lartë, Wendt mbajti një sërë pozicionesh kyçe në strukturat ushtarake dhe të sigurisë së Shteteve të Bashkuara.
Ai shërbeu si Koordinator i Sigurisë i SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez në periudhën nëntor 2017 – tetor 2019.




