Interes i lartë për t’u bërë pjesë e policisë, rreth 1000 kandidatë vijojnë garën për Patrullën e Përgjithshme

Jugulajm.net
2 Min Read

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, vizitoi Akademinë e Sigurisë, ku rreth 1000 kandidatë vijojnë garën për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, në Patrullën e Përgjithshme, përmes testimeve mjekësore, fizike dhe psikologjike.

Gjatë bashkëbisedimit me kandidatët, Drejtori Hita vlerësoi interesin e lartë për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit dhe i falënderoi ata për besimin e treguar ndaj institucionit.

Hita: “Ju falënderoj për interesin dhe besimin që keni treguar për Policinë e Shtetit, duke zgjedhur të konkurroni për t’u bërë pjesë e saj. Numri i lartë i aplikantëve, rreth 1300 në fazën fillestare dhe tashmë rreth 1000 pas fazës së parë, është një tregues pozitiv dhe motivim për të vijuar forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe ndërtimin e një policie gjithnjë e më profesionale.

Ju uroj suksese në fazat e konkurrimit dhe ju inkurajoj të angazhoheni maksimalisht për t’u kualifikuar brenda kuotave të përcaktuara. Ju siguroj se procesi deri në fund do të jetë tërësisht transparent dhe do të garantojë shanse të barabarta për të gjithë.

Jepni maksimumin tuaj dhe shikojeni këtë mundësi si një privilegj për të dëshmuar aftësitë dhe vullnetin tuaj për t’u bërë pjesë e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit, dhe për t’iu shërbyer qytetarëve me profesionalizëm e përgjegjshmëri.

Faleminderit!”

Procesi i konkurrimit vijon sipas procedurave të përcaktuara për përzgjedhjen e kandidatëve që do të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit, në Patrullën e Përgjithshme.

Share This Article