AKEP: Kartat SIM s’do të kenë vlefshmëri 6 mujore, por…

Jugulajm.net
2 Min Read

Në mbledhjen e zhvilluar këtë të enjte Bordi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar rregulloren e re që sjell lehtësi të rëndësishme për Konsumatorët e telefonisë celulare.

Rregullorja e re, e cila do të nisë zbatimin nga 1 janari 2027, sjell risi thelbësore, siç janë: vlefshmëri 12-mujore të kartës SIM nga 6 muaj që është aktualisht, afat minimal prej 180 ditësh për ruajtjen e kredisë monetare si dhe mundësi rimbushjeje me vlera më të ulëta.

Masat e marra nga AKEP i jap të drejtën qytetarëve për të kërkuar rimbursimin e kredisë së papërdorur gjatë procesit të portimit të numrit tek një operator tjetër.

Një tjetër fitore e rëndësishme për konsumatorët është transparenca e shtuar e tarifave dhe ruajtja e numrit celular për të paktën 12 muaj pas çaktivizimit.

Gjithashtu, nga 1 janari 2027, ndalohen përfundimisht klauzolat që lejojnë rritjen automatike të çmimeve mujore të kontratave, përfshirë ato të lidhura me inflacionin, nëse vlera e saktë nuk është e përcaktuar qartë që në momentin e lidhjes së kontratës.

Përveç mbrojtjes së konsumatorit, AKEP i ka hapur dritën jeshile inovacionit teknologjik. Bordi ka autorizuar një nga kompanitë celulare që operojnë në vend, për të nisur një test 120-ditor të teknologjisë D2D në bashkëpunim me gjigantin hapësinor Starlink/SpaceX.

Kjo teknologji e avancuar do t’u lejojë telefonave celularë të lidhen direkt me satelitët në orbitë, duke synuar mbulimin e plotë të territoreve ku sinjali i zakonshëm tokësor mungon ose është i kufizuar.

Share This Article