Një rrugë që nuk lidh vetëm dy pika në hartë, por ringjall një krahinë të tërë…

Jugulajm.net
7 Min Read

Nga Fejzo Subashi

FALEMINDERIT,  ZOTI RAMA!

Le të më thonë, ashtu siç kanë thënë edhe më parë, se jam mbështetës i Edi Ramës. Kjo nuk më shqetëson aspak. Sepse, kur shoh mrekullinë e rrugës Berat–Ballaban, me mirënjohje të thellë dhe me sinqeritetin e një biri të kësaj krahine, dua të them vetëm një gjë: Shumë faleminderit, zoti Rama! E them me forcë: zoti Rama! Jo sepse nuk ju drejtohem si Kryeministër, por sepse, përtej postit që mbani, kjo mirënjohje vjen para së gjithash nga unë si qytetar dhe si bir i kësaj toke. Nuk e besoja. Nuk e besonim. Por ja që sot është realitet. Një realitet që, edhe kur e sheh me sytë e tu, e ke të vështirë ta besosh. Dhe, megjithatë, është aty, e prekshme, konkrete. Falë kësaj rruge, ju i dhatë jetë një krahine të tërë. I krijuat mundësi, hapësira dhe perspektiva të reja një territori që përfshin disa qarqe, shumë rrethe e qytete, komuna e fshatra. Falë kësaj rruge, ju ringjallët resurset e kësaj zone dhe i dhatë një mundësi të re historisë së saj. U krijuat mijëra ish-banorëve, që jeta i kishte shpërndarë nëpër Shqipëri e nëpër botë, mundësinë të rikthehen në vendlindje, të investojnë, të ndërtojnë dhe të rigjejnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Falë kësaj rruge, bijve të kësaj krahine, por edhe investitorëve të tjerë, u hapet një derë e re për të investuar në tokën e mundësive të pashfrytëzuara. Kodrat e bukura po gjelbërohen me ullinj e pemë frutore, ku qershia mbetet një nga krenaritë e kësaj zone. Por ka edhe diçka që nuk matet me para. Falë kësaj rruge, çdo bir e bijë e kësaj krahine mund të shkojë më lehtë për të vendosur një lule mbi varret e prindërve, të gjyshërve dhe të të parëve, që kujtimi i tyre të mos mbetet peng i largësisë dhe i harresës. Falë kësaj rruge, nipër e stërnipër, të lindur e rritur në emigracion, mund të vijnë e ta shohin, ta prekin dhe ta njohin nga afër vendin e origjinës së tyre. A mund të ketë investim më të madh sesa t’i rikthesh një krahine mundësinë për të jetuar, për të prodhuar, për të mirëpritur njerëzit e saj dhe për të mos u shkëputur nga historia? Zoti Rama, ajo krahinë ishte aty edhe dje, edhe para pesëdhjetë vjetësh, edhe një shekull më parë. Aty ishin të njëjtat resurse, e njëjta histori, e njëjta bukuri natyrore. Aty ishin dhe janë njerëzit e saj të mrekullueshëm, të ndershëm, punëtorë e mikpritës. Njerëz kërkues, por të matur; njerëz që kanë ditur të punojnë e të përballojnë vështirësi, shpeshherë pa bërë shumë zhurmë. Aty ishte edhe rruga, një nga rrugët me rëndësi të veçantë historike, e ndërtuar që në kohën e Italisë dhe e dëshmuar nga ngjarje e luftëra të shumta. Një rrugë që mbart histori, që ka lidhur njerëz e vendbanime dhe që për dekada ka pasur një rol të rëndësishëm për të gjithë zonën. Por, për tridhjetë vjet me radhë, ajo nisi të degradohej e të braktisej. Bashkë me të, rrezikonte të braktisej edhe vetë krahina: destinacioni i saj, resurset, mundësitë ekonomike dhe roli i saj strategjik. Dhe këtu qëndron thelbi i mirënjohjes sime.

Ju, zoti Rama, jeni i vetmi kryeministri që nuk e keni njohur Ballabanin vetëm nga televizori, nga raportet apo nga fjalët e të tjerëve. Keni ardhur, e keni shkelur këtë tokë dhe i keni parë nga afër njerëzit, resurset dhe mundësitë që ajo mbart. Nuk jeni mjaftuar me premtime të bëra nga larg. Keni qenë atje, keni parë dhe keni ndërmarrë një vepër që, për ne, ka rëndësi shumë më të madhe sesa kilometrat e asfaltit. E di se do të ketë nga ata që do të thonë: “E çfarë bëri? Me taksat tona e ndërtoi, jo me paratë e xhepit të vet!” Po, zotërinj, me taksat e qytetarëve ndërtohen rrugët dhe financohen veprat publike. Askush nuk po thotë të kundërtën. Por pyetja ime është tjetër: përse një krahinë që ka punuar, ka prodhuar, ka kontribuar dhe ka paguar taksa për dekada të tëra, u desh të priste kaq shumë për të parë një investim të kësaj rëndësie? Taksat janë të qytetarëve dhe shteti ka detyrimin t’ua kthejë ato në shërbime, infrastrukturë dhe mundësi zhvillimi. Prandaj, të njohësh një vepër të mirë nuk do të thotë të mohosh detyrimin e shtetit. Përkundrazi, do të thotë të vlerësosh kur ky detyrim merr formë konkrete dhe sjell ndryshim në jetën e njerëzve. Unë nuk po ju falënderoj për një premtim. Po ju falënderoj për një vepër që po e shoh dhe po e prek. Nuk po ju falënderoj për një slogan politik, por për mundësitë që kjo rrugë u hap njerëzve, tokës dhe historisë së krahinës sime. Dhe sot, si një nga bijtë e saj, me gjithë sinqeritetin dhe mirënjohjen time, ju them: Faleminderit, zoti Rama!

Mezi pres ditën kur t’ju shoh në Ballaban, apo në Tërpan, me gërshërët në dorë, duke prerë shiritin e kësaj rruge. Jam i bindur se ajo krahinë do t’ju presë ashtu siç di ajo të presë: me zemër të hapur, me bujari dhe me mikpritjen e saj tradicionale. Dhe besoj se do t’ju shpërblejë në mënyrën më të bukur që di një krahinë të shpërblejë dikë që i ka bërë një të mirë: me mirënjohje, me respekt dhe duke e kthyer këtë vepër në një mundësi për të ardhmen e saj. Sepse rrugët nuk ndërtohen vetëm për të kaluar makinat. Ndërtohen për të afruar njerëzit, për të ringjallur ekonominë, për të kthyer shpresën dhe për t’u dhënë brezave një arsye më shumë që të mos harrojnë nga vijnë.

Një rrugë mund të lidhë dy vende. Por një rrugë e tillë mund të rilidhë një krahinë me jetën, me historinë dhe me të ardhmen e saj. Dhe për këtë, zoti Rama, unë ju them edhe një herë: Faleminderit!

Share This Article