Çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e pakicës janë vendosur nën lupën e Autoritetit të Konkurrencës. Përmes një njoftimi zyrtar, institucioni bën me dije se ka nisur monitorimin e tregut me shumicë dhe pakicë për të parandaluar çdo abuzim të mundshëm. Autoriteti paralajmëron se nuk do të tolerojë rritje artificiale që nuk reflektojnë bursën ndërkombëtare, ndërsa thekson se operatorët që bashkërendojnë çmimet do të përballen me masa të rrepta ligjore.
Çdo devijim i pajustifikuar, apo rritje më e shpejtë dhe më e theksuar se ecuria e tregjeve të huaja, përbën tregues për sjellje jo konkurruese, thuhet në njoftimin e Autoritetit.
Sipas Autoritetit, procesi do të jetë i vazhdueshëm dhe do të ndërhyhet me sanksione nëse vërehet se operatorët shfrytëzojnë zhvillimet gjeopolitike apo ekonomike për përfitime të paligjshme. Ky proces synon jo vetëm mbrojtjen e xhepit të qytetarëve, por edhe garantimin e një gare të ndershme mes bizneseve në vend.
Nga vëzhgimi në pikat e karburanteve në kryeqytet është vënë re një lëvizje e çmimit të naftës në disa pika me 3-4 lekë. Në pikat e karburanteve, një litër naftë varion nga 175 lekë deri në 179 lekë për litër.




