Regjisori shqiptar Mario Banushi është vlerësuar në Bienalen e Venecias me çmimin “Luani i Argjendtë për Teatrin 2026”.
Në motivacionin e dhënë nga Bienalia e Venecias thuhet: Me rrëfimin e tij pothuajse autobiografik, i cili eksploron përvojat e pikëllimit, hidhërimit, mungesës dhe traditave familjare, Mario Banushi e zbulon veten përmes gjuhës së tij poetike, eliptike, të përbërë më shumë nga heshtje sesa nga fjalë, megjithatë evokuese dhe komunikuese në mënyrë të dhimbshme.
Teatri i Banushit, sa intim, i rrënjosur thellë në kulturën ballkanike, mbart edhe inteligjencë politike, një eksplorim i mprehtë i kontradiktave të kohës sonë.
Mario Banushi, i datëlindjes 1998, deri në moshën gjashtëvjeçare ka jetuar në Shqipëri dhe më pas u vendos me familjen në Greqi, ku dhe u diplomua në Konservatorin e Dramës në Athinë. Debutimin si regjisor e bëri me “Ragada”, krijuar dhe shfaqur brenda një apartamenti gjatë pandemisë. Drejtori i Teatrit Kombëtar të Greqisë, i cili e ndoqi shfaqjen në ditën e fundit, e ftoi për bashkëpunim. Kjo çoi në krijimin e veprës së tij të radhës, “Mirupafshim, Lindita”. E planifikuar të shfaqej për tri javë, ajo u luajt në Teatrin Kombëtar të Greqisë për tre vjet me radhë, me jehonë të madhe nga kritika dhe nga publiku, përpara se të niste turneun ndërkombëtar.
Kapitulli i tretë i trilogjisë, “Taverna Mirësia”, i vlerësuar në festivalet kryesore në mbarë botën, do të gëzonte të njëjtin sukses.
Regjisori Banushi ka deklaruar për New York Times: “Dua të krijoj teatër që njerëzit ta ndiejnë, jo që ta kuptojnë. Dua të imagjinoni historitë tuaja, të shihni jetën tuaj dhe më pas të jetoni me këtë”.
Triptiku “Romance Familjare”, një cikël që eksploron kujtesën familjare përmes rrëfimit teatral bazohet në imazhe dhe pa tekst. Vepra e tij është paraqitur në New York Times dhe BBC dhe është recensuar nga Guardian, Le Monde dhe Libération, duke dëshmuar vëmendjen ndërkombëtare në rritje që rrethon punën e tij.
Prodhimi i fundit i Banushit, “Mami”, është një bashkëprodhim ndërkombëtar me festivale dhe institucione të mëdha evropiane. Vepra eksploron gjuhën e tij poetike dhe vizuale dhe mori vlerësime të mëdha pas prezantimit të saj në Festivalin e Avinjonit, ku kritikët vlerësuan saktësinë emocionale dhe mjeshtërinë vizuale. Në vitin 2025, Mario Banushi mori Çmimin e Artistit të Ri të Teatrit nga Shoqata Helenike e Kritikëve të Teatrit.
Pavarësisht se ku përgatiten dhe shfaqen, veprat e tij origjinale titullohen plotësisht ose pjesërisht shqip: “Pranvera”, “Goodbye Lindita”, “Taverna Mirësia Mario Bella Anastasia”, “Mami” etj.




