Një 80-vjeçar u dogj nga flakët e zjarrit, kur flakët përfshinë një barakë të vjetër, ku ai jetonte në kushte tejet të mjerueshme në Shkodër.
Mësohet se i moshuari ka pësuar djegie të konsiderueshme në trup. Sapo ka mbërritur në spitalin rajonal të Shkodrës, i dëmtuari u dërgua me urgjencë në Tiranë për mjekim të specializuar për shkak të plagëve të rënda që ka dhe djegies të një shkalle të tretë.
Ndërkohë janë ende të paqarta arsyet e këtij zjarri që përfshiu barakën ku ai jetonte. Kanë qenë komshinjtë ata që kanë evidentuar flakët dhe menjëherë kanë lajmëruar zjarrfikësit që erdhën duke bërë shuarjen e vatrës së zjarrit. Po ashtu komshinjtë telefonuan edhe shërbimin kombëtar të urgjencës dhe një ambulancë bëri transportimin drejt spitalit të Shkodrës fillimisht të moshuarit, i cili më pas u dërgua drejt Tiranës.
Forcat zjarrfikëse janë duke hetuar lidhur me shkakun e këtij zjarri në këtë vend. Shtetasi 80-vjeçar mësohet se është babai dy djemve ndërsa vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Prej kohësh qëndronte në këtë barakë të vjetër ndërsa gatë gjithë kohës mblidhte mbeturina dhe i grumbullonte afër këtij vendi të vogël ku qëndronte.




