Një 22-vjeçar është kapur në flagrancë me dy armë kallashnikov në makinë në tunelin e Murrizit kur po vinte drejt Tiranës.
Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se armët ishin të destinuara për t’u shitur grupeve kriminale në kryeqytet.
Oficerët e Komisariatit Nr. 4, pasi kanë siguruar informacion për këtë shtetas që po qarkullonte me armë në makinë nga Burreli drejt Tiranës, menjëherë kanë organizuar operacionin “Tuneli”, duke i zënë pritë dhe duke e arrestuar të riun në tunelin e Murrizit.
Njoftimi i policisë
“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Tuneli”.
U kap në flagrancë duke transportuar 2 armë zjarri kallashnikov, nga Burreli në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale, vihet në pranga një 22-vjeçari.
Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, 4 krehra për to, automjeti dhe celulari i 22-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi:
A. D., 22 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, thuhet në njoftimi ne policisë.




