Një ngjarje e rëndë dhe tragjike ka ndodhur në Itali pak ditë më parë.
Eshref Tufa, një 67-vjeçar shqiptar që vuante nga sëmundja e Alzheimerit, është gjetur i vdekur në shinat e trenit pranë Campegine, në rrugën Reggio-Sant’Ilario në Itali (Reggio Emilia).
Ai kishte humbur prej ditësh dhe për shkak të problemeve të tij shëndetësore, endej në një gjendje konfuzioni të thellë drejt shinave hekurudhore, ku dhe fatalisht u godit për vdekje nga një prej trenave të mallrave të linjës. Ai vdiq menjëherë. Policia hekurudhore u thirr në vendngjarje.
Pas identifikimit, lajmi i trishtueshëm iu dha familjes së tij, e cila e kishte kërkuar për dy ditë.
Autoritetet thanë se përjashtojnë pistën e vetëvrasjes, për shkak të sëmundjes nga e cila vuante dhe besojnë se ngjarja është aksidentale, pasi ai mund të ketë qenë duke ecur mbi shina në mënyrë të pavetëdijshme.
Eshref ishte zhdukur papritur më 19 gusht, nga zona e tregut në Piazza della Vittoria në Reggio, ku ndodhej me gruan e tij.
Vajza e tij Marsida nxitoi menjëherë në stacionin e policisë për ta raportuar të zhdukur. Menjëherë nisën kërkimet dhe u lëshua një apel në mediat sociale dhe u shpërndanë fotografi.
Pati një shpresë një ditë më pas, kur kamerat e një lokali në Via Emilia, filmuan Tufën duke qëndruar jashtë tij dhe prej aty besohet se ai ka ndjekur rrugën e shinave të trenit, derisa u godit fatalisht.




