Prangoset 28-vjeçari, inskenoi rrëmbimin e vet për të përfituar para nga i ati, arrestohet edhe bashkëpunëtori i tij

Jugulajm.net
2 Min Read

Një 28-vjeçar ka inskenuar rrëmbimin e tij për të mashtruar babain dhe për të përfituar para prej tij. Policia e Tiranës njofton se ka arrestuar në flagrancë si autorin kryesor të inskenimit, ashtu edhe bashkëpunëtorin që kishte marrë përsipër marrjen e shumës së kërkuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin e shtetasve L. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, dhe B. K., 45 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet rezultoi se 28-vjeçari kishte mashtruar babain e tij, B. C., duke i thënë se ishte rrëmbyer dhe se për lirimin e tij kërkohej një shumë eurosh. Ndërkohë, shtetasi B. K. u kap në flagrancë në lagjen nr. 16 të Durrësit, duke i kërkuar babait të 28-vjeçarit shumën e pretenduar për “shpëtimin” e të birit.

Rreth 100 metra nga vendi ku ndodhi tentativa për të marrë paratë, policia gjeti edhe 28-vjeçarin L. C., i cili u arrestua menjëherë. Nga hetimet doli gjithashtu se ai kishte marrë automjetin e babait të tij dy ditë më parë, të cilin dyshohet se e ka shitur.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kavajë, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.

Share This Article