Shqipëria ka siguruar një tjetër medalje në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, me peshëngritësen Enkileda Carja që ka marrë medaljen e bronztë në disiplinën e shkëputjes.
Carja përfundoi në vendin e tretë pasi ngriti me sukses 100 kilogramë. Peshëngritësja kuqezi realizoi dy nga tri provat e saj.
Në provën e parë, Carja ngriti 98 kilogramë, ndërsa në tentativën e dytë arriti të ngrejë me sukses 100 kilogramë, duke siguruar vendin në podium.
Në provën e tretë, shqiptarja tentoi të luftonte për medaljen e artë, duke kërkuar të ngrinte 103 kilogramë, por nuk ia doli ta realizonte këtë tentativë.
Medalja e artë shkoi për italianen Giulia Miserendino, e cila ngriti 102 kilogramë, ndërsa medaljen e argjendtë e fitoi egjiptiania Roufida Fathi Taha Abdeltawwab me 101 kilogramë.
Kështu, Enkileda Carja i ka dhuruar Shqipërisë një tjetër medalje në “Taranto 2026”, duke u ngjitur në podium pas një performance të mirë në finalen e shkëputjes.




