Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Pordenone, Itali, ku një shtetas shqiptar humbi jetën, pasi u qëllua me armë zjarri nga një bashkëatdhetar.
Sipas raportimit të medieve italiane, shqiptari i identifikuar si Vladimir Topjana, u qëllua me armë zjarri nga një shqiptar tjetër.
E gjithë ngjarja ndodhi pranë një lokali ku njerëzit ishin mbledhur për të shikuar ndeshjen e Serie A, Roma-Juventus, ndërsa shoqërohej nga djali i tij.
52-vjeçari Topjana ka qenë duke folur me një të afërm në vendin e parkimit para lokalit. Biseda e tyre u ndërpre nga një “Audi” i bardhë që erdhi me shpejtësi.
Nga aty dolën dy persona të tjerë, gjithashtu shqiptarë. Mes të katërve më pas ka nisur një debat i ashpër i cili ka shkuar deri në ngritje zëri. Kjo ka tërhequr vëmendjen e disa klientëve, të cilët tentuan të rikthejnë qetësinë, por nuk ia dolën.
Më pas, shqiptarët kanë lëvizur në një hapësirë mes dy bizneseve, ku debati verbal u shndërrua në vrasje. Njëri nga personat nxorri armën dhe qëlloi të paktën tre herë. Një nga plumbat e kapën Topjanën në kokë duke i marrë jetën menjëherë.
Policia njoftoi se pranë vendit të ngjarjes ka qenë rastësisht kunati i tij, i cili në fillim nuk ka kuptuar se çfarë po ndodhte. Pak pas tij ka mbërritur edhe djali i viktimës.
52-vjeçari, sipas mediave, e frekuentonte shpesh zonën pasi kishte disa të afërm që jetonin aty.
“Po parkoja dhe sapo dola nga makina dëgjova “Bam! Bam!”. Të shtëna. Shkova me vrap dhe pashë kunatin në tokë, kishte gjak. Kërkova ndihmë. Nuk më ka ndodhur kurrë diçka e tillë”, tha kunati i tij.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe kapjen e autorëve.