Prokuroria e Posaçme duket e vendosur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe pse politika po e godet dhe po tenton ta demoralizojë, të dhënat flasin se lufta vijon.
SPAK ka dorëzuar në Kuvend raportin e punës për vitin 2024, ku jepen detaje dhe statistika nga angazhimi për vitin që lamë pas.
Në raport theksohet se përsa i përket luftës kundër korrupsionit, Prokuroria e Posaçme ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Gjatë vitit 2024, rezultojnë 33 ish-zyrtarë të lartë nën hetim (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. “Lidhur me volumin e çështjeve nën hetim për veprat penale në fushën e korrupsionit, gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka shënuar një rritje me rreth 8% krahasuar me vitin paraardhës (nga 447 çështje nën hetim për vitin 2023 në 483 çështje nën hetim për vitin 2024). Po kështu, është rritur me rreth 20%, edhe numri i personave të cilët që kanë qenë nën hetim për vitin 2024 në krahasim me ata të vitit paraardhës (nga 212 persona nën hetim në vitin 2023, në 257 persona nën hetim në vitin 2024). Rritje në masën rreth 8% ka shënuar gjithashtu, edhe numri i hetimeve të përfunduara dhe të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2023 (nga 38 në vitin 2023, në 41 në vitin 2024)”, thekson SPAK.
Nga ana tjetër, prokuroria bën me dije se ka vijuar me përgjimin e telefonave. Sipas raportit, gjatë vitit që lamë pas janë përgjuar afro 3 mijë telefona. Po ashtu ka pasur vëzhgime në terren dhe infiltrime.
“Po kështu theksojmë se, ka pasur një rritje të aplikimit të metodave të hetimit pro aktiv, në rastin e përgjimeve telefonike dhe gjithashtu, edhe aplikimi i metodave të posaçme të hetimit si, vëzhgime, kontrolle, simulime, sekuestrimi i provave materiale, letër porosi, agjentë të infiltruar, etj. Gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka përdorur metodën e përgjimit për 163 procedime penale ku janë interceptuar 3096 pajisje fundore (pajisja/numri telefonik i subjektit ne përgjim). Krahasuar me vitin 2023, numri i pajisjeve fundore të interceptuara është 7,1% më i ulët (3335 pajisje fundore të interceptuara gjatë vitit 2023)”, thekson SPAK.
Sipas SPAK, lufta kundër krimit të organizuar edhe për këtë vit, krahasuar me vitin paraardhës, ka shënuar arritje të rëndësishme me një rritje prej rreth 18,8% të regjistrimeve të këtyre procedimeve penale. Po kështu, është rritur edhe numri i personave të cilët janë nën hetim për këto procedime me rreth 21,6%, krahasuar me vitin 2023. Nga ana tjetër, ka një rënie me rreth 7,3% të çështjeve të dërguara për gjykim për shkak të volumit dhe kompleksitetit të tyre.