Banorët e fshatit Piskovë në Përmet kanë protestuar sot sërish kundër ndërtimit të vendit të grumbullimit të plehrave në afërsi të fshatit të tyre. Në përkrahje të tyre sot ka qenë deputeti i PD dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PD Ervin Salianji dhe i deleguari i PD për Qarkun e Gjirokastrës Roland Bejko. Banorët e Piskovës kanë qenë kategorik në kërkesat e tyre që landfilli mos të ndërtohet në territorin e fshatit të tyre aq më tepër në një zonë të mbrojtur sic është Bredhi i Hotovës pasi krijon impakt negativ në mjedisin turistik dhe parkut natyror të Bredhit te Hotovës.
Deputeti Ervin Salianji ka qenë i ashpër në deklaratën e tij për këtë cështje pasi ka përmendur se kjo cështje do të bëhet problem nga PD dhe do t’i dërgohet për ndjekje të mëtejshme SPAK pasi bëhet fjalë për një procedurë që bie ndesh me vullnetin e banorëve dhe që dëmton mjedisin në zonën e mbrojtur.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe i deleguari i kryesisë së PD për Qarkun e Gjirokastrës Roland Bejko i cili nga ana e tij ka theksuar se PD do të kërkojë me ngulm ndalimin e këtij projekti që dëmton mjedisin dhe krijon probleme serioze në mirëqënien shëndetësore të banorëve të Piskovës.