Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë këtë të premte (2 tetor 2026) një seri kontrollesh në kuadër të hetimeve për atë që njihet si “afera KAYO”, duke nisur nga rezidenca e biznesmenit Ron Yeffet, Ardi Veliut dhe duke vijuar me Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas raportimeve mediatike, kontrollet janë kryer me vendim gjykate dhe me kërkesë të SPAK. Një prej kontrolleve është zhvilluar në banesën e biznesmenit shqiptaro-amerikano-izraelit Ron Yeffet, në Pëllumbas, emri i të cilit është vendosur në qendër të denoncimeve të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj lidhur me aktivitetin në industrinë e mbrojtjes.
Pas kontrollit në rezidencën e Yeffet, hetuesit kanë ushtruar kontrolle edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, drejtuar nga Ermal Nufi, ku janë sekuestruar dokumente që mund të shërbejnë për hetimin.
Po ashtu, veprimet e SPAK janë shtrirë edhe në banesat e Ardi Veliut, administrator i KAYO-s dhe Arjeta Pucës, pronare e kompanisë TIMAK, një prej subjekteve private që ka hyrë në partneritet me KAYO-n përmes TIMAK Defence.
Kontrollet vijnë disa javë pasi Arben Ahmetaj publikoi një seri audiopërgjimesh, përmes të cilave ngriti pretendime për një skemë të dyshuar që, sipas tij, lidh biznesin privat, me kompaninë shtetërore të industrisë ushtarake KAYO, fondet publike dhe aktivitetin në sektorin e mbrojtjes.
Në qendër të denoncimeve është TIMAK Defence, kompani e krijuar në gusht 2025 nga TIMAK dhe KAYO. Sipas të dhënave të bëra publike, TIMAK zotëron 80% të kompanisë, ndërsa KAYO, e kontrolluar nga Ministria e Mbrojtjes, zotëron 20%. Yeffet zotëron 49% të TIMAK-ut, çka i jep atij një pjesëmarrje indirekte në TIMAK Defence.
Në deklarimet e tij, Ahmetaj pretendon se Yeffet ka hyrë në TIMAK në vitin 2025 dhe, pak kohë më pas, TIMAK është bërë partneri dominues i KAYO-s në TIMAK Defence. Sipas Ahmetajt, pjesa private e kompanisë kontrollon 80%, ndërsa shteti shqiptar përmes KAYO-s vetëm 20%, duke ngritur pikëpyetje, sipas tij, mbi raportin mes kapitalit privat, investimit dhe fondeve publike që lidhen me kompaninë.
Një tjetër pretendim i bërë nga Ahmetaj lidhet me trafikun ndërkombëtar të armëve. Në audiopërgjimet dhe deklarimet e publikuara prej tij, ai pretendon se ekziston një skemë ku armë të prodhuara jashtë Shqipërisë mund të kalojnë në vend, të paketohen dhe më pas të dërgohen drejt zonave të konfliktit. Në këtë pretendim ai përmend TIMAK Defence, KAYO-n, kompaninë Advanced Arms Technology dhe persona të lidhur me sektorin e mbrojtjes.




