Erjon Vishkulli kthehet në Tiranë: Ndjej dritë, por…

Jugulajm.net
2 Min Read

Tre javë në Itali, një ndërhyrje kirurgjikale dhe një betejë që ende nuk ka përfunduar. Erjon Vishkulli, 28-vjeçari që pësoi dëmtime të rënda në sy gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, është rikthyer në kryeqytet, ndërsa shpresa për të rifituar shikimin mbetet e lidhur me ndërhyrjet e ardhshme mjekësore. Vishkulli ka rrëfyer momentet e vështira që ka kaluar dhe pritshmëritë për rikuperimin. Megjithëse kontrollet e fundit kanë dhënë sinjale inkurajuese, ai pranon se ende nuk ka asnjë garanci për rikthimin e shikimit.

“Për momentin fjalët janë të mira për syrin, por siguri nuk kemi. Presim ndërhyrjet edhe, shpresoj të bëhet më e mira. Kontrolli i fundit për syrin më dha shpresë, sepse ndieja dritë. Operacioni i radhës, që është kryesori, aty besoj do të shoh shenjat e para. Më 17 dhjetor kam kontrollin”, u shpreh 28-vjeçari.

Gjatë qëndrimit në Itali, Vishkulli iu nënshtrua ndërhyrjes së parë kirurgjikale, ku, sipas tij, u hoq edhe pjesa e mbetur në sy. Tashmë, vëmendja është përqendruar te operacioni i radhës, i cili pritet të jetë vendimtar për të kuptuar më shumë mbi mundësitë e rikuperimit. “Sa të kem shqiptarët, është motivi më i madh. Kam pasur këdo, miq, shokë, shqiptarë që kanë ardhur të më takojnë, mesazhe pa fund, telefonata, që më kanë dhënë motivim të madh”, deklaroi ai.

Kur biseda u kthye te dita e protestës, momenti që i ndryshoi jetën, Vishkulli preferoi të mos rikthehej te kujtimet e asaj ngjarjeje. Pavarësisht pasojave të rënda që po përjeton, ai dha një përgjigje të prerë kur u pyet nëse ishte penduar për pjesëmarrjen në protestë. “S’dua ta kujtoj atë ditë. Asnjë pendesë që mora pjesë”, përfundoi Vishkulli.

Share This Article