SPAK ka ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet, pas akuzave të bëra nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj lidhur me një skemë të dyshuar të trafikimit të armëve.
Lajmi për kontrollin është raportuar nga media shqiptare, ndërsa sipas informacioneve të publikuara, kontrolli është kryer në vilën e Yeffet në fshatin Pëllumbas.
Emri i biznesmenit është përmendur javët e fundit në audiopërgjime të publikuara nga Ahmetaj, i cili ka ngritur pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit ndërkombëtar të armëve dhe municioneve, ku përmenden Shqipëria, kompani të sektorit të mbrojtjes dhe KAYO.
Yeffet është i përfshirë në kompani që operojnë në sektorin e mbrojtjes, mes tyre “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, të krijuara në vitin 2025, me aktivitet në prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve.
Një ditë para kontrollit, më 1 tetor, janë publikuar edhe audiopërgjime të tjera që i atribuohen Yeffet, në të cilat ai diskuton për mundësinë e blerjes dhe shitjes së produkteve dhe hapjen e një fabrike në Afrikë. Në bisedë përmendet edhe Sudani dhe nevoja për leje për aktivitetin atje.




