Nga Agim Xhafka:

Blendi Gonxhja në një takim me shoqatën e autoshkollave vendosën që të rrisin çmimin e marrjes së liçensës së drejtimit të mjeteve.Ose të patentës si i themi në gjuhën popullore.

Gonxhja vetë ka “lulëzuar” në shumë pozicione,që nga piktura për të cilën është diplomuar,më pas shef kabineti i Ramës në ministri,zëvendës i Ramës në bashki e papritur drejtor i parqeve nën Velinë e së fundi,po e them shkurt, drejtor i një enti që ndan patenta.Gjatë duhen dy rreshta ta shkruash ndërmarrjen e këtij drejtori.

Pardje Blendi nënshkroi dyfishimin e çmimit të marrjes së patentave.Se kur rritet djathi dhe kosi kështu do shkojë kjo punë.E për të mos bërë bujë ky çmim u bë me pak “graso” si do na u rritka siguria në rrugë,do kemi më pak aksidente e tërci e vërci qesëndis populli ynë i urtë dhe gjumëshumë.

Me që Blendi Patenta ka bërë dhe një trajnim politik në Michigan,po i tregoj si unë e mora në USA patentën.

Sa u paraqita atje,pra te zyra e kolegëve të Gonxhes,më vunë para një listë me emra autoshkollash.

-Zgjidh!-më thanë.

-Është e detyrueshme?

-Jo.

-Atëhere nuk do frekuentoj asnjë autoshkollë,-u thashë.

-Je gati për provim teorie?

-Po,e kam lexuar kodin rrugor dje.

-Shko te ai kompjuteri atje dhe mbush testin që do të të shfaqet në ekran.E ke në 27 gjuhë.Shqipja është e para.

Shkova,e plotësova,e printova,e dorëzova.E korrigjoi një gocë te banaku i zyrës.

-Bravo,kalove,-më tha.

Pastaj u afrova te një palë dylbi të palëvizëshme.Vendosa sytë atje.Ishte si vizita që bëjmë me detyrim te okulisti në Shqipëri.

-Sheh një shkëndijë?

-Po,-i thashë.

-Nga cili krah erdhi?

-Majtas.

-Po tani?

-Prapë majtas.

-Ok.Sytë i paske në rregull.Tani buzëqesh të të bëj një foto.Përjashta zgjidh një instruktor për praktikën.
-Po për veshët?Dëgjoj mirë a jo?

-Mirë dëgjon.Se ja ne të dy po flasim.Unë të pyes ti përgjigjesh.

Dola në rrugë.Hypa te autoshkolla e parë.Ndeza makinën dhe dëgjova ustain,majtas,dil në autostradë,futu te rrugica,merr djathtas dhe arrita ku u nisa.Më preu një faturë 42 usd.

-Pas një jave të vjen në shtëpi liçensa,-më tha ustai.

Në fakt erdhi më shpejt.Ja si është Amerika! Thjesht,shpejt e lirë.Shumë lirë,o Gonxhe!Pse nuk i kopjon?Nga që hiqeni si amerikanë andaj ta solla këtë përvojë.Në fakt shpirtin e keni rus.Vdisni për një shtet të fortë.Që të vendosni çmimet për ushqime,karburante dhe për…patentat.

Jepi Gonxhe!Lulëzo!