Sokrat Vata, 29-vjeçari i arrestuar për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, është marrë në pyetje nga grupi hetimor, por ka zgjedhur të mos japë deklarime lidhur me ngjarjen.
Ndërkohë, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe dy shtetasit turq që po e shoqëronin Vatën gjatë përpjekjes së tij për t’u larguar nga zona.
Në prani të përkthyesve, ata kanë deklaruar se ishin klientë të rregullt të lokalit “Principote” dhe se 29-vjeçarin e paguanin si truproje dhe shoqërues personal.
Sipas dëshmive të tyre, ata e kishin marrë Vatën në automjet për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin krijuar me të. Pozicioni i tyre në ngjarje vijon të jetë pjesë e verifikimeve të grupit hetimor.
Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe miqtë e viktimës, të cilët kanë dhënë versionin e tyre mbi mënyrën se si nisi konflikti.
Sipas dëshmive të tyre, sherri dyshohet se ka nisur pas ngacmimit të një vajze brenda ambienteve të lokalit. Më pas situata është përshkallëzuar dhe në përplasje janë përfshirë disa persona.
Në konflikt kanë ndërhyrë edhe rojet e sigurisë së lokalit, ndërsa situata ka vijuar me përleshje mes personave të përfshirë.
Sipas dëshmive të mbledhura deri tani, turisti 20-vjeçar portugez ka ndërhyrë për të ndarë personat që po konfliktoheshin, përpara se të goditej dhe të merrte plagët që i shkaktuan vdekjen.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e konfliktit, rolin e secilit person të përfshirë dhe rrethanat që çuan në vrasjen e turistit portugez.




