EMRI/ Vrasja në Ksamil, arrestohet polici i kufirit Gjirokastër, punonte edhe si bodyguard te lokali

Jugulajm.net
2 Min Read

Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit Miguel Mendes në Ksamil, ngjarje për të cilën është arrestuar Sokrat Vata.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar Moisid Matushajn, punonjës të Policisë së Shtetit, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen dhe se ka ndihmuar Sokrat Vatën të largohej nga vendngjarja.

Matushaj është specialist hetimi në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër. Krahas detyrës në Policinë e Shtetit, ai punonte si bodyguard në të njëjtin grup të kompanisë “Orange Elite Security”, ku punonte edhe Sokrat Vata.

Përveç Matushajt, mësohet se janë shoqëruar mbi 30 persona, të cilët po merren në pyetje për të rindërtuar dinamikën e konfliktit dhe për të përcaktuar rolin e personave që ndodheshin në vendngjarje.

Sokrat Vata, 29 vjeç, u arrestua disa orë pas vrasjes në aksin Levan-Fier, gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Vlorës dhe Fierit.

Në momentin e kapjes, ai ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga një shtetase turke 31 vjeçe. Në automjet ndodhej si pasagjer edhe një shtetas turk 38 vjeç. Të dy shtetasit turq u shoqëruan për veprime të mëtejshme procedurale.

Miguel Mendes u gjet pa shenja jete rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit përpara një lokali në Ksamil. Sipas të dhënave të siguruara, 20-vjeçari kishte marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe kraharor. Vdekja e tij ka qenë e menjëhershme.

I riu ndodhej në Ksamil së bashku me një grup bashkëkombësish të ardhur për turizëm, ndërsa shkaku i konfliktit dyshohet se lidhet me një vajzë.

Share This Article