Nga Fejzo Subashi
Së pari, ju kërkoj ndjesë që ju kam “çarë” kokën me shkrime pa fund për një tjetër ndarje territoriale. Një ndarje në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një ndarje që t’u shërbejë qytetarëve. Një ndarje mbi bazën e parimeve, vlerave, burimeve, historisë, kulturës, traditave dhe mundësive reale të zhvillimit.
Një ndarje që të mos mendojë vetëm për sot, por për një të nesërme dhe një të ardhme më produktive për qytetarin dhe vatanin. Por sot po ju propozoj diçka krejt tjetër.
Po ju propozoj një ndarje territoriale që t’ua bëjmë qejfin qeveritarëve, shtetarëve, zyrtarëve dhe politikanëve. Një ndarje që të na kursejë studimet, debatet, ekspertët, referendumet dhe, mbi të gjitha, paratë. Një ndarje që t’i “zhdukë” nga skena ziliqarët, bejlerët dhe agallarët… si puna ime.
Një ndarje që të kemi mirë me fqinjët, me europianët dhe me të gjithë ata që shqetësohen për ne. Dhe, mbi të gjitha, një ndarje që të mos shpenzojmë fare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ja propozimi im:
Të shkrihen bashkitë Gjirokastër, Leskovik, Përmet, Këlcyrë, Dropull dhe Libohovë, dhe të bëhen një bashki e vetme, me qendër Këlcyrën.
Të shkrihen Tepelenë, Memaliaj, Mallakastër, Selenicë, Fier dhe Patos, dhe të bëhen një bashki e vetme, me qendër Mallakastrën.
Të shkrihen Skrapar, Gramsh, Berat, Poliçan, Dimal, Kuçovë, Roskovec dhe Belsh, dhe të bëhen një bashki e vetme, me qendër Kuçovën.
Të shkrihen Sarandë, Konispol, Himarë, Finiq dhe Vlorë, dhe të bëhen një bashki e vetme, me qendër Himarën.
Të shkrihen Kolonjë, Korçë, Pogradec, Pustec, Librazhd, Maliq dhe Elbasan, dhe të bëhen një bashki e vetme, me qendër Maliqin.
Të shkrihen Tiranë, Rrogozhinë, Peqin, Lushnjë, Divjakë dhe Kavajë, dhe të bëhen një bashki e vetme, me qendër Rrogozhinën.
Të shkrihen Durrës, Shijak, Vorë, Kamëz, Krujë, Laç, Mirditë dhe Lezhë, dhe të bëhen një bashki e vetme, me qendër Laçin.
Të shkrihen Bulqizë, Mat, Klos, Dibër dhe Kukës, dhe të bëhen një bashki e vetme, me qendër Maqellarën.
Të shkrihen Shkodër, Malësi e Madhe, Fushë-Arrëz, Pukë, Tropojë dhe Has, dhe të bëhen një bashki e vetme, me qendër Pukën.
Dhe, nëse kam harruar ndonjë bashki, ju lutem mos u mërzisni. Mos kini merak: nuk do të mbetet pa u sistemuar.
Në mos njëra, tjetrës do t’i ngjitet. Sepse kjo është, në fund të fundit, ndarja territoriale që na duhet:
sa më pak bashki, sa më pak shpenzime, sa më pak qytetarë që pyesin… dhe sa më shumë qetësi për ata që qeverisin. Qesh dhe ngjesh!
Sepse ndarja ime e parë ishte për Shqipërinë që duhet të ndërtojmë.
Kjo e sotmja është vetëm për të parë: A do ta kuptojmë më në fund se një hartë nuk bëhet për t’ua bërë qejfin zyrtarëve, por për t’i shërbyer qytetarit. Përndryshe, mund ta bëjmë edhe më thjeshtë: Ta bëjmë Shqipërinë një bashki të vetme. Qendrën ta vendosim aty ku të mos mërzitet askush. Dhe qytetarin? Epo… qytetari le të presë. Ai është mësuar.




