Një 41-vjeçar, shofer i një furgoni, që po udhëtonte nga Italia në drejtim të Shqipërisë është arrestuar nga Policia Kufitare.

41-vjeçari është ndaluar pasi gjatë kontrollit të mjetit në vijën e dytë të skanimit, është gjetur një sasi e konsiderueshme bizhuterish floriri.

Po ashtu në furgon janë gjetur edhe 1900 euro cash dhe një sasi e vogël kokaine.

“Në kuadër të operacionit u kalua për kontroll të detajuar, në vijë të dytë, një automjet furgon që drejtohej nga shtetasi A. M., 41 vjeç, banues në Tiranë, që udhëtonte nga Italia për në Durrës.

Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në furgon, 1900 euro dhe bizhuteri floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M. dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.