Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së ka mbështetur rezolutën e Parlamentit Evropian, e cila u ndalon zyrtarëve shtetërorë përdorimin e aplikacionit “TikTok”.

Balla thotë se edhe Shqipëria ka miratuar një Rezolutë mbi ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike kombëtare në dhjetor të vitit 2019.

Për të garantuar siguri, ai kërkon të ngrihet Komision i Posaçëm në Kuvendin e Shqipërisë për të mbledhur informacion mbi financime të partive dhe aktorëve politikë nga burime financiare të lidhura me shtete jo miqësore me Shqipërinë.

Kreu i grupit të PS-së nënkupton se edhe Shqipëria duhet të aplikojë ndalimin e aplikacionit ‘TikTok’ për zyrtarët e administratës.

Statusi i plotë:

Parlamenti Europian miratoi dy ditë më parë një raport që kishte në fokus masat ndaj ndërhyrjeve të huaja në vendet anëtare të Bashkimit Europian përmes dezinformimit, sulmeve kibernetike dhe ndërprerjes së infrastrukturës kritike.

Si pjesë e rekomandimeve në këtë Raport u kërkohet të gjitha vendeve anëtare të përputhin qasjen e tyre me kufizimet që Bashkimi Evropian, por dhe SHBA, kanë vendosur tashmë mbi ndalimin e përdorimit të aplikacionit të mediave sociale TikTok.

Raporti është pjesë e punës së Komitetit të Posaçëm të Parlamentit Evropian për Ndërhyrjet e Jashtme në Proceset Demokratike në Bashkimin Evropian, duke përfshirë Dezinformimin, i cili filloi në vitin 2020 në një përpjekje për të ndaluar shtete si Rusia dhe Kina të ushtrojnë ndikim në politikën evropiane.

Edhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një Rezolutë mbi ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike kombëtare në dhjetor 2019. Është koha e duhur, ndoshta e vonuar, ngritja e një Komisioni të Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për Ndërhyrjet e Jashtme në Proceset Demokratike, duke synuar mbledhjen e informacionit mbi rastet e bëra publike apo dhe të tjera mbi financime të partive dhe aktorëve politikë nga burime financiare të lidhura me shtete jo miqësore me Shqipërinë.

Sikur edhe në rastin e Parlamentit Europian objekt i punës së këtij Komisioni duhet të jenë edhe fushatat e dezinformimi, të cilat si edhe në vendet e BE, financohen në mënyrë malinje nga Rusia apo ndonjë vend tjetër.