Ish i dashuri i 13-vjeçares shqiptare ka pranuar vrasjen e Aurora Tilës, duke e hedhur nga ballkoni në Piacenza më 25 tetor 2024.
Në seancën e apelit, ish-i dashuri të miturës, i dënuar me 17 vjet nga gjykata, ndryshoi rrëfimin e tij dhe madje kërkoi falje për aktin, si edhe për pritjen kaq të gjatë për ta pranuar krimin.
“Me rrëfimin, një rreth mbyllet. Por shpresojmë që Gjykata do të mbështesë dënimin e shkallës së parë, i cili vendosi një dënim të përshtatshëm”, tha avokati Emilio Malaspina, që përfaqëson familjen e shqiptares.
I pandehuri i ri, 15 vjeç në kohën e krimit, bëri rrëfimin nëpërmjet një video nga burgu për të mitur në Catanzaro. Ndërsa nëna e Aurorës, Morena Corbellini, ishte e pranishme në sallën e gjyqit. Gjykimi u
shty deri më 10 shtator, kur, pas argumenteve të Prokurorit të Përgjithshëm dhe mbrojtjes, ka të ngjarë të merret një vendim.
Autori e shtyu vajzën nga ballkoni, pastaj i goditi duart me gjunjë, kur ajo u kap fort në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar veten.
Dokumentet e prokurorisë zbuluan gjithashtu se Aurora, në javët para vdekjes së saj, donte t’i jepte fund lidhjes, por i pandehuri vazhdoi ta përndiqte, madje duke kërkuar një takim përfundimtar.
“Plani im i hakmarrjes fillon tani, të mërkurën, 9 tetor, në orën 2:50 të mëngjesit”, shkroi i riu. 13-vjeçarja e frikësuar ishte drejtuar gjithashtu te ChatGpt për këshilla: “A mendon se duhet ta lë?” pyeti Aurora midis verës së vitit 2024 dhe ditëve të para të tetorit. Pikërisht këto biseda midis viktimës dhe inteligjencës artificiale, sipas dokumenteve të hetimit, kontribuojnë në vërtetimin e përndjekjes, sipas gjykatës së të miturve.
Gjithashtu ish-i i saj , vetëm një ditë para krimit, i kishte thënë një shoku se donte ta vriste 13-vjeçaren. Kjo rrethanë u raportua nga një shok qelie, i dëgjuar më vonë si dëshmitar në gjyqin e shkallës së parë. Kjo dyshohet se ishte arsyeja pse ai kishte marre me vete një kaçavidë, e cila më vonë u konfiskua.
Ne mesazhet që ai i dërgoi asaj për takimin shkruhej: “Nesër është hera e fundit, pastaj kurrë më” dhe “Të premtoj se pas daljes së së premtes, nuk do të të kontaktoj më kurrë”. Ndërsa ajo shpresonte që takimi do ta lehtësonte acarimin e tij, ai tashmë kishte vendosur se do ta vriste. Një qëllim që ai nuk e kishte pranuar kurrë, deri më tani.




