Një i dënuar është kapur në burg me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, gjatë një kontrolli të ushtruar nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Sipas njoftimit, kontrolli fizik ndaj të dënuarit me inicialet A.Z është kryer më 27 nëntor 2026 në burgun e Korçës, ku janë gjetur dy porcione me lëndë të dyshuar narkotike.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i dënuari ka bashkëpunuar me personel të institucionit për futjen e lëndës narkotike në burg.
Agjencia e Mbikëqyrjes ka kryer veprimet procedurale, ndërsa materialet janë përcjellë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
I dënuari po procedohet penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283/1 të Kodit Penal.




