“Studentët n’Protestë”, kanë reaguar pas njoftimit të djeshëm nga disa të rinj, të cilët paralajmëruan krijimin e një partie të re, e cila do të mbajë emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”.
Në një deklaratë për mediat, ata janë shprehur se nuk janë pjesë e asnjë partie, duke theksuar se nuk është formuar një e tillë, duke rikujtuar se që prej nisjes së protestave më 31 maj kanë qenë në mbështetje të saj dhe të kërkesave të ngritura.
Deklarata e plotë:
Studentet n’Protestë, si një komunitet studentësh i krijuar në protestë, deklaron se nuk është pjesë e asnjë partie politike!
Nga 31 maji, e deri sot, ne, Studentët n’Protestë, kemi qenë në mbështetje të protestës dhe kërkesave të saj. Kemi besuar se fryma e krijuar nga kjo revoltë qytetare, tejkalon partitë politike dhe bindjet personale, duke përfshirë një pjesë të madhe të shoqërisë.
Edhe sot, pas 13 tetorit, kur studentët dolën masivisht, vazhdojmë të mbajmë të njëjtin qëndrim.
Ne nuk kemi formuar parti politike e as nuk jemi mbështetës të ndonjërës prej tyre. Vlerësojmë se gjithësecili është i lirë të marrë një iniciativë politike, por ne bëjmë të qartë se ky veprim nuk është në emrin tonë.




