Një dyqan bulmeti ka rënë pre e një grabitjeje gjatë orëve të natës, duke shkaktuar një dëm ekonomik që kalon vlerën e 2 milionë lekëve. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 3 të qytetit të Pogradecit. Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë hyrë në ambientet e biznesit pasi kanë thyer me forcë derën hyrëse, ndërsa më pas kanë marrë një sasi të konsiderueshme mallrash, duke e boshatisur pothuajse tërësisht dyqanin.
Vjedhja është konstatuar mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:30, nga vetë pronari i biznesit, i cili ka njoftuar menjëherë policinë.
Kjo është hera e dytë brenda pesë muajsh që i njëjti biznes bëhet objekt i grabitjes, ndërsa autorët e të dyja rasteve nuk janë identifikuar ende.
Policia ka nisur hetimet dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Pronari i biznesit ka shprehur shqetësimin për mungesën e sigurisë dhe pasigurinë që, sipas tij, po ndikon drejtpërdrejt në vazhdimin e aktivitetit tregtar.
“Jemi të shqetësuar dhe të frikësuar për punën tonë. Nuk punohet në këtë formë, të vidhet dy herë një biznes në qendër të qytetit dhe të mos kapet askush. Duam që policia ta zbardhë ngjarjen sa më shpejt”, është shprehur ai.




