Pronari i argjendarisë që ra pre e një grabitjeje në Kamëz, ka folur sot për emisionin “Shqipëria Live”. Sipas shtetasit O.L, ngjarja ka ndodhur për pak minuta dhe gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë së biznesit. Ai shtoi se dëmi nga grabitja shkon deri në 70 milionë lekë të vjetra.
Ndër të tjera, ai hodhi poshtë aludimet e ngritura në media se ngjarja vjen si pasojë e lidhjes që pronari ka patur me fajde.
“Kamerat e sigurisë kanë filmuar çdo gjë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, brenda një minute. Unë nuk kam qenë aty por më njoftuar motra e cila e kishte marrë vesh ngjarjen dhe më pas unë kam telefonuar personin që ndodhej aty. Grabitësit kanë hyrë brenda, kanë thyer banakun, kanë marrë ato që kanë mundur dhe janë larguar. Unë në biznes kam sistemin e alarmit por për sigurinë gjatë ditës nuk kisha marrë masa sepse nuk kemi patur probleme. Unë nuk kam probleme me asnjë njeri. Kam punuar ndershmërisht dhe çfarë kam mbledhur i kam investuar aty. Nuk kam lidhje me fajde asgjë, me këtë biznes fitoj bukën e gojës. Është biznes familjar. Dëmi real është 65-70 milionë lekë të vjetra. Policia po punon dhe unë i falënderoj, po bëjnë maksimumin, sepse unë po i ndjek dhe shpresoj të zgjidhet. Grabitësit kanë qenë me armë por nuk kanë tentuar të qëllojnë, ishte thjesht kërcënim. Motra ime është trembur, është ndjerë shumë keq.”– tha ai.




