Favorizoi ndërtimet pa leje, shefi i Komisariatit Sarandë: Isha i zënë me vrasjen, s’kisha kohë…

Jugulajm.net
2 Min Read

Është zbardhur dëshmia e shefit të Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, i cili u arrestua sot pas aksionit të AMP-së për ndërtimet pa leje. Sipas burimeve, Bashllari është shprehur para hetuesve se gjatë javës ka qenë i angazhuar me hetimin e vrasjes në Sarandë, duke lënë në plan të dytë çështjen e ndërtimeve pa leje.

Bashllari, së bashku me nënkomisarin e Krimeve në Sarandë, Andi Duro, nënkomisarin Ajdin Ismailaj dhe inspektorin Robert Çullaj, u arrestuan në kuadër të hetimeve për përfshirjen e efektivëve në abuzimet me ndërtimet pa leje në Sarandë dhe Ksamil.

Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi sipas hetimeve dyshohet se kanë toleruar ose kanë pasur rol në lejimin e ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare. Gjithashtu, mbi ta rëndojnë edhe akuzat për “kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”, vepra të kryera në bashkëpunim.

Lëvizja e AMP-së vjen pas dy rasteve të evidentuara gjatë ditëve të fundit në zonë. Disa ditë më parë, me urdhër të Prokurorisë, u sekuestrua kati i gjashtë i Hotel Oasis, pas dyshimeve se ishte ndërtuar pa leje. Aksioni nisi pas një denoncimi të mbërritur në Policinë e Shtetit për një ndërtim pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen nr. 1 të Sarandës. Pas ndërhyrjes së policisë, u arrestuan 8 punëtorë dhe u njoftuan shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat ndërhynë për prishjen e objekteve pa leje.

Share This Article