Vajzat nga Mianmari i largët gjejnë punë në Gjirokastër, ja se ku…

Jugulajm.net
2 Min Read

Në një biznes fason në Gjirokastër, rreth 50 vajza nga Mianmar kanë nisur një jetë të re larg familjeve të tyre. Disa nga ato shpjegojnë se njohja me Shqipërinë nisi në Ksamil, ku punuan sezonalisht, dhe më pas morën kontrata të rregullta pune që i çuan në jug të vendit. Nga një vend i panjohur për to, Shqipëria u bë mundësia për të siguruar të ardhura dhe perspektivë më të mirë.

Ten Ten rrëfen se fillimisht punoi një sezon në Ksamil, më pas u transferua në Gjirokastër ku punon dhe jeton në kushte që i konsideron shumë të mira. Ajo thotë se ka gjetur një “shtëpi të dytë” dhe se kontrata e saj përfundon pas dy vitesh, kur planifikon të kthehet pranë familjes. Nga Mianmar ajo ka ardhur për shkak të pamundësive ekonomike të vendit të lindjes.

Inna shprehet se tani e sheh Shqipërinë si vendin ku dëshiron të ndërtojë jetën e saj, duke pasur një kontratë pesëvjeçare dhe duke u ndjerë e mirëpritur në Gjirokastër. Ajo thotë se i pëlqen qyteti dhe njerëzit, dhe nuk dëshiron të largohet.

Këto histori e paraqesin paradoksin aktual të vendit: një Shqipëri që përjeton largimin e shumë qytetarëve të vet, por që bashkëkohësisht merr punëtorë të huaj nga mijëra kilometra larg. Për disa të huaj, vendi shërben si një mundësi për të siguruar të ardhura dhe jetesë më të mirë; për shumë shqiptarë, emigrimi mbetet rruga për një të ardhme më të mirë.

Share This Article