Vrasja e shqiptares Sibora Gagani, 48-vjeçari italian pranon autorësinë

Jugulajm.net
2 Min Read

Shtetasi italian, Marco Romeo, 48 vjeç i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e ish-partneres së tij Paula në Torremolinos në vitin 2023, ka pranuar për herë të parë se kishte vrarë edhe partneren e mëparshme, shqiptaren Sibora Gagani, në vitin 2014, raportojnë mediat spanjolle.

Romeo kishte mohuar vazhdimisht autorësinë e vrasjes së Siborës, duke pretenduar se vetëm kishte fshehur trupin e saj në murin e apartamentit ku jetonin. Ai madje kishte akuzuar policinë se kishte manipuluar çështjen kundër tij.

Në dokumentin e fundit të mbrojtjes, 48-vjeçari pranon se e vrau Sibora Gaganin brenda banesës së tyre dhe më pas fshehu trupin në një mur të dyfishtë që ndërtoi në një nga dhomat e apartamentit.

Trupi i 22-vjeçares shqiptare u zbulua nga policia pas arrestimit të tij për vrasjen e Paula-s. Viktima ishte futur në një kuti druri, e mbuluar me gëlqere, ndërsa pranë saj u gjetën një thikë me njolla gjaku dhe një tufë lulesh. Sipas prokurorisë spanjolle, Marco Romeo dhe Sibora Gagani ishin njohur në vitin 2009 në qytetin italian Nettuno, kur ajo ishte vetëm 18 vjeçe.

Një vit më vonë ata u transferuan në Spanjë dhe jetuan së bashku në Torremolinos. Hetimet tregojnë se gjatë javës nga 7 deri më 14 korrik 2014, i akuzuari e sulmoi të renë shqiptare me thikë, duke i shkaktuar vdekjen pas të paktën katër goditjeve, tre prej tyre në shpinë.

Prokuroria kërkon dënimin e tij me 22 vite burg për vrasje me paramendim në kuadër të dhunës gjinore dhe për fshehjen e kufomës. Çështja do të shqyrtohet nga një juri popullore në një proces të ndarë nga ai për vrasjen e Paula-s. Mbrojtja e të akuzuarit kundërshton akuzën për vrasje me paramendim, duke pretenduar se ngjarja nuk ishte e planifikuar.

Megjithatë, prokuroria këmbëngul se ai veproi në mënyrë të ftohtë dhe të organizuar, njësoj si në krimin e dytë për të cilin është dënuar tashmë.

Share This Article