Sarandë, IKMT dhe policia aksion në plazh, arrestohen 8 persona, shpallet në kërkim pronarja

Jugulajm.net
2 Min Read

Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka ‘zbarkuar’ në qytetin e Sarandës, ku ka ndërhyrë ndaj një objekti që po ndërtohej në kundërshtim të plotë me ligjin.

Bëhet fjalë për një strukturë të ngritur në zonën e plazhit, në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar, ku një pjesë e ndërtimeve dyshohet se ishin vendosur edhe mbi ujë.

Pas konstatimit të shkeljeve, autoritetet kanë vendosur menjëherë shiritin bllokues, ndërsa operacioni ka çuar edhe në arrestimin e tetë personave të përfshirë në punime.

Njoftimi i policisë:

Sarandë/Goditet një rast i ndërtimit të paligjshëm, në plazh.

Arrestohen në flagrancë 8 shtetas.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim shtetasja për llogari të së cilës dyshohet se po kryheshin punimet e paligjshme.

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve në terren, me prioritet zonat bregdetare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë konstatuan se në një objekt (i përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre, në ujë) në një hapësirë plazhi, në lagjen nr. 1, kryheshin punime ndërtimi, të paligjshme.

Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. R., 25 vjeç, E. S., 41 vjeç dhe O. C., 32 vjeç, të tre banues në Sarandë;

B. R., 48 vjeç, banues në Delvinë;

E. R., 41 vjeç, banues në Lushnjë;

O. B., 47 vjeç, banues në Tiranë;

E. K., 42 vjeç, banues në Lezhë;

Y. D., 33 vjeç, banues në Mat.

Gjithashtu, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasja që posedon hapësirën e plazhit, A. B.., për llogari të së cilës dyshohet se kryheshin punimet. Punohet për kapjen e kësaj shtetaseje.

Shërbimet e Policisë, pas kryerjes së veprimeve procedurale, kanë njoftuar shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat aktualisht po vijojnë me prishjen e ndërtimeve.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Share This Article