Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, takim me homologë nga rajoni: Thellojmë bashkëpunimin kundër krimit ndërkufitar

Jugulajm.net
2 Min Read

Gjatë konferencës mbi rezultatet e Taskforcës së Përbashkët për Migracionin, që u zhvillua në Kosovë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi takime me homologët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe me përfaqësues të lartë të agjencive ligjzbatuese të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë takimeve me drejtuesit e policive të rajonit, u diskutua forcimi i bashkëpunimit operacional dhe koordinimit ndërkufitar, me në fokus reagimin e koordinuar në kohë reale kundër fenomeneve kriminale, si dhe për thellimin e hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta për goditjen e grupeve kriminale ndërkufitare.

Drejtuesit ranë dakord gjithashtu për shtimin e sporteleve dhe burimeve njerëzore në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë dhe një shërbimi më cilësor për qytetarët gjatë sezonit turistik apo situatave me fluks të lartë lëvizjesh.

Hita u takua edhe me zëvendësdrejtoren e Inteligjencës në Home Office të Mbretërisë së Bashkuar, Vikki Pullen, si dhe me zëvendësdrejtorin e Komandës së Sigurisë Kufitare, Jack Joseph.

Gjatë takimit, Hita rikonfirmoi angazhimin dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit për thellimin e bashkëpunimit me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.

Nga ana e tyre, zyrtarët britanikë vlerësuan rezultatet konkrete të arritura në kuadër të Taskforcës së Përbashkët për Migracionin dhe e cilësuan Policinë e Shtetit një partner kyç dhe të besueshëm në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.

Share This Article