Qeveria ka miratuar sot një vendim për subvencionimin e shoqërive të transportit publik, me qëllim mbështetjen e operatorëve për përballimin e kostove të larta të karburantit. Vendimi u njoftua nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
Sipas ministrit, kompensimi do të jetë 50 lekë për çdo litër nafte të konsumuar nga subjektet e transportit publik, duke përfshirë linjat urbane, ndërqytetase dhe rrethqytetase.
“Në mbledhjen e qeverisë kaluam disa akte, por ajo që do ndalem është një akt i rëndësishëm i marrë në kuadër të masave subvencionuese që qeveria shqiptare ka marrë në kohën e krizës së hidrokarbureve. Bëhet fjalë për masën e subvencionimit për transportin qytetas, ndërqytetas dhe rreth qytetas. Para një muaj u ulëm me shoqatat e transportit dhe kemi dëgjuar shqetësimet e tyre. Në atë kohë dhamë fjalën që do kishim një masë subvencionuese sic kishim edhe në 2022. Sot e kemi miratuar, bëhet fjalë një kompensim 50 lekë për litër për të gjitha shoqëritë e transportit publik, qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas. Këta masë do ta fillojmë që në muajin mars”, tha ministri.
Ministri Karakaçi theksoi se kjo masë synon të lehtësojë barrën financiare të kompanive të transportit, të cilat kanë kërkuar mbështetje për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve dhe presionit financiar mbi sektorin.




