Çmimi i naftës, Rama: Nëse heqim taksën e qarkullimit, 4-fishohet, ja masat që do të marrim…

Jugulajm.net
3 Min Read

Kryeministri Edi Rama në një takim të zhvilluar sot është ndalur tek rritja e çmimit të naftës duke e quajtur një shqetësim serioz.

Kryeministri u shpreh se rritja nuk ka prekur vetëm vendin tonë, por edhe shumë të tjera, duke nënvizuar se në disa vende të Evropës rritja është edhe më e lartë.

Ai shpjegoi se heqja e taksës së qarkullimit do të sillte ulje të menjëhershme të çmimit, por do të rriste ndjeshëm barrën për qytetarët që zotërojnë automjete, duke i detyruar të paguajnë deri në katërfishin e detyrimeve aktuale.

Rama tha se është duke u krijuar një kompani publike, që do merret me rezervën strategjike të naftës.

Rama: Njerëzit janë të shqetësuar, siç jemi edhe ne, për çmimin e naftës. Çmimi rritet si rezultat i një lufte që nuk e kemi hapur ne, as që na kanë pyetur a duhet të hapet ajo, dhe një lufte ndaj një regjimi kundër nesh. Çmimi i naftës është rritur kudo, jo vetëm në Shqipëri. Në disa vende të Europës kanë shkuar edhe më lart se këtu. Ajo që ka interes për njerëzit është se çfarë po bëjmë e çfarë mund të bëjmë. Faktikisht, po bëjmë diçka të rëndësishme, kemi në dorë ta ulim çmimin. Zakonisht, është më i lartë se disa vende rreth e rrotull, sepse ne kemi edhe taksën e qarkullimit. Nëse e heqim taksën, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një mjet do të duhet të paguajnë katërfishin e asaj që paguajnë sot. Në vend se t’ju ngarkojmë me katërfishin, ne kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë, kjo është logjika. Në një farë mënyre, ata që djegin më shumë karburant janë edhe ndotës. Për këtë arsye, ne kemi marrë përsipër të bëjmë një transformim të thellë për të gjithë mënyrën se si zhvillohet aktiviteti në tregun e naftës, duke krijuar një kompani publike, që do merret me rezervën strategjike të naftës. Dhe nga ana tjetër, duam që kjo kompani të jetë edhe furnizuese e naftës, dhe duke qenë furnizuese, të ndikojë në çmimin e naftës duke mbrojtur interesat e konsumatorëve.

Share This Article