Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Gjykatës së Apelit, që shpalli të pafajshëm këngëtarin Luiz Ejlli, i akuzuar për falsifikim dokumentesh. Çështja është rikthyer për rigjykim në Apel, ku do të shqyrtohet nga një tjetër trupë gjykuese.
Bëhet fjalë për falsifikimin e dyshuar të një akti noterial, përmes të cilit justifikohej burimi i një shume prej 210 mijë eurosh në favor të shtetasit Fatmir Avdurramani.
Sipas akuzës, Ejlli kishte përdorur vulën noteriale në një kohë kur i ishte hequr licenca për ushtrimin e profesionit të noterit. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pak muaj përpara hyrjes së këngëtarit në shtëpinë e “Big Brother VIP 2”, ku më pas u shpall fitues.
Më 2 tetor 2024, Gjykata e Fierit e shpalli fajtor Luiz Ejllin, duke e dënuar me një vit burg, ndërsa Fatmir Avdurramani u dënua me 18 muaj burg.
Në maj të vitit 2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë, duke i shpallur të pafajshëm të dy të pandehurit.
Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, çështja do të shqyrtohet sërish në Apel.




