FOTO/ Punimet në “Urën e Viroit” në Gjirokastër drejt përfundimit, Rama: Do të garantojë qarkullim të pandërprerë

Jugulajm.net
2 Min Read
Kryeministri Edi Rama ka ndarë të shtunën pamje dhe detaje nga ecuria e punimeve në Urën e Viroit në Gjirokastër. e para nga 30 urat që do të ndërtohen ose përmirësohen në të gjithë Shqipërinë, me mbështetjen e Bankës Botërore dhe investimin e qeverisë shqiptare.

Në një postim në Facebook, Rama bën të ditur se projekti po shkon drejt përfundimit dhe përfshin ndërtimin e një ure të re me dy hapësira drite, si dhe një tombinoje që lidh urën ekzistuese në digën e liqenit me lumin Drino.

Sipas tij, ndërhyrjet synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit në këtë segment rrugor. Gjithashtu, sipas Ramës janë realizuar struktura në funksion të kategorisë së rrugës C2 dhe është përmirësuar organizimi i hyrjeve dhe daljeve, në një gjurmë të re rrugore që kalon paralel me rrugën ekzistuese.

“Përfundimi dhe hapja e kësaj vepre do të sjellë përmirësimin e gjurmës ekzistuese, rikthimin e kapacitetit mbajtës të strukturës dhe rritjen e sigurisë rrugore, duke shmangur ndërprerjen e qarkullimit për shkak të përmbytjeve”, u shpreh Kryeministri.

Ura, me gjatësi 33 metra dhe gjerësi 7 metra, do të ketë dy korsi dhe trotuare në të dy anët. Ajo ndodhet në aksin SH4, në drejtim të pikës kufitare të Kakavijës, dhe konsiderohet një nyje e rëndësishme për qarkullimin në jug të vendit.

Sipas të dhënave, përfundimi i saj pritet të ndikojë në uljen e kohës së udhëtimit dhe përmirësimin e sigurisë, veçanërisht në rastet e përmbytjeve. Projekti synon gjithashtu të garantojë qarkullim gjatë gjithë vitit, duke përfituar mijëra drejtues mjetesh dhe këmbësorë.

Share This Article