Arrestohet 28-vjeçari, hyri i armatosur në lokal, kërcënoi klientët dhe goditi me qytën e pistoletës pronarin

Jugulajm.net
4 Min Read

Një ngjarje e paprecedentë është shënuar këtë të diel, ku një shtetas  28-vjeçar u fut i armatosur në një bar-kafe dhe pasi kërcënoi klientët goditi me qytën e pistoletës edhe pronarin e lokalit në qytetin e Kavajës. Pas marrjes së njoftimit shërbimet e policisë u nisën për në vendngjarje, por i riu u largua me shpejtësi me automjet dhe gjatë largimit, dëmtoi edhe një automjet të parkuar.

Gjatë ndjekjes, si pasojë e shpejtësisë së lartë, shtetasi i armatosur humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe u përplas me trafikndarësen dhe me një automjet tjetër. Më pas, ai braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i aksidentit.Teksa blutë vijonin të ishin në kërkim të tij, kapja  u bë e mundur pas disa orësh.

Njoftimi i policisë:

U fut i armatosur në një lokal, kanosi klientët, goditi me qytën e pistoletës pronarin e lokalit dhe, për t’i shpëtuar Policisë, u largua me shpejtësi me automjet, duke dëmtuar edhe dy automjete të qytetarëve.

Kapet pas disa orësh kërkimesh dhe ndjekjeje nga shërbimet e Policisë.

Pas disa orësh kërkimesh, 28-vjeçari u lokalizua dhe u kap në një hotel te Shkëmbi i Kavajës, nga shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë.

Gjatë tentativës për t’u larguar, 28-vjeçari hodhi armën e zjarrit, e cila u gjet gjatë kontrollit në terren dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë morën njoftim, rreth orës 09:40 të ditës së sotme, se një shtetas i armatosur kishte hyrë në një bar-kafe në lagjen nr. 2, në qytetin e Kavajës, ku kishte kanosur klientët dhe kishte goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë, por shtetasi i armatosur, për t’i shpëtuar Policisë, ishte larguar me shpejtësi me automjet dhe, gjatë largimit, kishte dëmtuar edhe një automjet të parkuar.

Shërbimet e Policisë u vunë në ndjekje, duke koordinuar veprimet me Forcat Operacionale të DVP Durrës.

Gjatë ndjekjes, si pasojë e shpejtësisë së lartë, shtetasi i armatosur humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe u përplas me trafikndarësen dhe me një automjet tjetër.

Më pas, ai braktisi automjetin dhe u largua nga vendi i aksidentit.

Shërbime të shumta të Policisë  vijuan kontrollet në zonë.

Pas disa orësh kërkimesh, duke përdorur dhe metodat speciale të hetimit, Forcat Operacionale të DVP Durrës bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasit M. C., alias M. C., 28 vjeç, banues në Kavajë, person me precedent kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.

Gjatë kontrollit të territorit, u gjet në një kanal dhe u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, dhe gjatë kontrollit në automjetin tip Range Rover në përdorim nga 28 vjeçari u gjet krehëri me municion luftarak.

Nga hetimet paraprake rezulton se 28-vjeçari ka kanosur dy klientë të lokalit dhe ka goditur në kokë, me qytën e pistoletës, pronarin e lokalit, shtetasin S. V., 64 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Share This Article