Protesta, Berisha mesazh qytetarëve: Të nderojmë 34-vjetorin e demokracisë, të dalim në shesh për të larguar Ramën

Jugulajm.net
3 Min Read

Pak orë para nisjes së protestës së sotme të opozitës, kreu i PD-së, Sali Berisha, u ka bërë edhe një herë thirrje qytetarëve që të dalin në shesh për të rrëzuar qeverinë e Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, ai ka kujtuar 34-vjetorin e 22 Marsit 1992, si ditën kur shqiptarët votuan për ardhjen e demokracisë dhe lanë pas diktaturën komuniste. Berisha theksoi se vendi përballet sot me një “diktaturë autoritare” me në krye Ramën, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për ta rrëzuar.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare! Sot është 22 Marsi, dita e Sulltan Nevruzit. Me këtë rast, uroj nga zemra të gjithë bektashinjtë shqiptarë në këtë ditë dhe shpreh mirënjohjen time më të madhe për rolin e tyre të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare.

Por 22 Marsi është edhe një ditë e madhe në historinë e demokracisë në Shqipëri. Është dita në të cilën, 34 vite më parë, shqiptarët u ndanë nga diktatura komuniste me votën e tyre të lirë. Sot, pas 34 vitesh, Shqipëria ndryshon si nata me ditën krahasuar me atë të asaj kohe. Por, përsëri, ne e nderojmë këtë datë në kushtet e një diktature autoritare, apo autokracie elektorale.

Në kushtet e dhunimit të votës, të shndërrimit të zgjedhjeve në farsë, në kushtet e bashkëpunimit të pushtetit me kartelet e drogës dhe në kushtet e përdorimit të ligjeve për të mbrojtur korrupsionin dhe për të vjedhur qytetarët shqiptarë. Ndaj, mënyra më dinjitoze për të nderuar 22 Marsin është të dalim të gjithë në shesh, të ngrihemi fuqishëm për të kundërshtuar këtë regjim dhe për të kërkuar largimin e menjëhershëm të Edi Ramës nga pushteti.

T’i dëshmojmë atij dhe botës se nuk pajtohemi me farsat zgjedhore, me përdorimin e mandateve të krimit dhe me ligjet që mbrojnë qeveritarët e korruptuar. Sot, le ta shndërrojmë këtë ditë në kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Shqipëria, në ditën e shpresës së madhe për shqiptarët dhe për të ardhmen e tyre evropiane”, u shpreh Berisha.

Share This Article