Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtorin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, pasi nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se ka eksportuar të dhënat e sistemit TIMS.
Prokuroria ka kërkuar gjithashtu edhe “pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Muçën.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237, 242 të Kodit të Procedurës Penale për shtetasin Ervin Muça, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Në vijueshmëri të hetimit, shtetasi Ervin Muça është marrë person nën hetim, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal.
Hetimi i këtij procedimi penal është shtrirë në pyetjen e tërë personazheve të përfshirë në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe në kryerjen e ekspertimeve përkatëse. Në vijim të procesit hetimor, janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmërisë së personit nën hetim Ervin Muça, në raport me pozicionin e tij Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin.
Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot, datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit Ervin Muça, i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.
Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Personi nën hetim Ervin Muça nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e DTI në Policinë e Shtetit.