Një konflikt mes dy miqsh për shkak të pagesës së një porosie në një lokal ka përfunduar me plagosje me thikë.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në ambientet e jashtme të një lokali në Durrës, njofton policia lokale.
Mësohet se dy të rinjtë, 35 dhe 26 vjeç, kishin konsumuar ushqim dhe pije alkoolike, ndërsa pagesën e ka kryer njëri prej tyre, rreth 20 mijë lekë të vjetra.
Pas daljes nga lokali, 35-vjeçari i ka kërkuar gjysmën e shumës tjetër 26-vjeçarit, i cili ka refuzuar. Konflikti është tensionuar, duke u kthyer në përleshje fizike, dhe më pas 35-vjeçari e ka goditur me thikë në kofshë shokun e tij.
Të dy të rinjtë janë dërguar në spitalin e Durrësit për trajtim mjekësor. Policia ka shoqëruar të dy personat dhe po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.




