Kushërira e së ndjerës Xhuana Nikolli, Mira Nikolli, ka rrëfyer për herë të parë në “Shqipëria Live” disa detaje nga ngjarja e rëndë.
Ajo ka treguar se vjehrra e së ndjerës ushtronte dhunë, kjo sipas deklaratave të familjarëve, ndaj 25-vjeçares. Por situata është rënduar në momentin që Xhuana i ka kërkuar të jetojnë në një shtëpi më vete.
Kushërira e së ndjerës ka treguar se divorci i tyre ka ardhur me marrëveshje mes palëve, teksa shton se e reja ishte shumë e lumtur për jetën e re që kishte nisur në Tiranë.
“Xhuana u rrit në këtë familje të thjeshtë, që i rritën katër vajzat me sakrifica dhe djersën e ballit. Ajo ishte e shkolluar, kishte bërë shkollën për juridik. Në gjimnaz pari fatkeqësinë të njohë njeriun e gabuar, e këtë e mësoi pas martesës, e cila zgjati vetëm tre muaj. Çifti jetonte në një ambient toksik dhe vendosën të ndaheshin. Familja e mbështeti këtë dhe e tërhoqën vajzën nga shtëpia e djalit, nuk hasën rezistencë, ndarja u bë me mirëkuptim.
Xhuana punonte në një zyrë noterie në Lezhë.
Erdhi në Tiranë për një jetë të re. U martua dhe hasi probleme, kishte probleme jo vetëm me burrin por edhe me vjehërrinë. Burri ishte shumë i ndikuar nga nëna, Xhuana i ka kërkuar të ndaheshin nga shtëpia, të jetonin bashkë. Burri siç duket ishte shumë I ndikuar nga nëna, kur i ka kërkuar të jetonin bashkë e ëma e djalit nuk dëgjoi, ushtronte presion mbi djalin e kishte nën kontroll. Aty më pas u përball me dhunën e vjehrrës, me të thënë e kam se unë nuk kam qenë aty, e kam dëgjuar nga njerëzit e saj të afërm për këtë gjë.
Pse duhet ta vriste veten pikërisht atë ditë. Atë që ka ndodhur e dinë vetëm ata të dy, dyshimet janë të shumta. Mjafton një letër që ka lënë të vërtetojë që ka lënë një letër? Kush e shkroi letrën? E shkroi me vullnetin e saj apo e shkroi dikush tjetër?”, është shprehur e prekur kushërira e së ndjerës.




