Policia e Sarandës, mesditën e kësaj të enjteje, ka parandaluar një ngjarje kriminale mes fqinjësh. Sipas raportimeve, në pranga është vënë shtetasi Sh. K 62-vjeç, i cili kishte hyrë në shtëpinë e fqinjëve të tij dhe i kishte kërcënuar me pistoletë.
Mësohet se situata kishte arritur në këtë pikë pasi 62-vjeçari kishte pasur mosmarrëveshje me fqinjët për shfrytëzimin e përbashkët të hapësirës së taracës së pallatit ku ata jetonin.
“Pas njoftimit të një shtetaseje, se fqinji kishte hyrë i armatosur në banesën e saj, në lagjen nr. 4, dhe kishte kanosur atë dhe familjarët e saj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan menjëherë punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim neutralizimin e autorit.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasi Sh. K. kishte kanosur fqinjët, me armë zjarri (pistoletë me mulli), si pasojë e mosmarrëveshjeve me ta, mbi shfrytëzimin e pjesës së përbashkët (tarracë) në pallatin ku banonin. Sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë me mulli)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme.




