Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu këtë të shtunë ka zhvilluar një konferencë për mediat lidhur me çështjen e Gërdecit. Gjatë fjalës së tij, Mediu u shpreh se asnjë provë nuk e lidh atë me shpërthimin e Gërdecit dhe se Prokuroria e SPAK-u e kanë hetuar atë dhe familjen e tij duke përfshirë çështje private dhe shëndetësore.
Ndër të tjera, Mediu e ka cilësuar procesin gjyqësor ndaj tij si një sajesë politike. Ai theksoi se akuza ndaj tij nuk ka lidhje me shpërthimin në Gërdec, por lidhet me çështje ushtarake dhe jo me detyrat dhe funksionet e ministrit.
“Procesi ndaj meje, sajesë politike. Që në fillim të ngjarjes kam dhënë dorëheqjes dhe kam dorëzuar imunitetin për t’i hapur rrugë drejtësisë. SPAK dhe prokuroria më kanë hetuar mua dhe familjarët edhe për çështje private e shëndetësore, por vetë prokuroria ka provuar se nuk isha i përfshirë në asnjë akt korrupsioni ndaj më ka akuzuar për “Shpërdorim detyre” jo për korrupsion.
Nuk ka asnjë lidhje apo transaksion i përfituar nga unë. Gjykata dhe prokuroria kanë marrë vendimin se akuza ndaj meje nuk ka asnjë lidhje me shpërthimin në Gërdec, por vetëm me çështje teknike ushtarake”, tha ai.




