Alarmante, 6 në 10 shqiptarë mbipeshë, obezitetit edhe tek fëmijët

Jugulajm.net
2 Min Read

Rreth 60% e qytetarëve në Shqipëri rezultojnë mbi peshë, ndërsa afro 20% klasifikohen obezë.

Specialistët e Instituti të Shëndetit Publik, paralajmërojnë se fenomeni po bëhet gjithnjë e më shqetësues, veçanërisht edhe tek fëmijët.

Sipas tyre, të dhënat e studimit të fundit tregojnë se një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare përballet me probleme të peshës trupore.

Rreth 60% e popullatës shqiptare rezulton mbi peshë, ndërsa afërsisht 20% klasifikohet me obezitet. Gjithashtu, sot 1 në 10 fëmijë është mbi peshë ose obez”.

Në të kaluarën, obeziteti lidhej kryesisht me konsumimin e tepërt të ushqimit dhe stilin e jetesës sedentare. Megjithatë, sipas specialistëve, sot po identifikohen edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në shtimin e peshës.

“Përveç faktorëve biologjikë dhe gjenetikë në nivel individual, gjithnjë e më shumë po flitet për ndikimin e faktorëve mjedisorë dhe emocionalë. Aksesi i lehtë në ushqime të përpunuara, me përmbajtje të lartë kalorike dhe vlera të ulëta ushqyese, është një nga arsyet kryesore të rritjes së obezitetit. Gjithashtu, cilësia e dobët e gjumit është një element që ndikon ndjeshëm në shtimin e peshës”, thekson specialistja, duke shtuar se ndërhyrja për parandalim duhet të nisë që herët dhe jo vetëm pasi të shfaqet mbipesha.

Një nga faktorët kyç për parandalimin e obezitetit mbetet ushqyerja me gji në muajt e parë të jetës. Sipas specialistëve, ajo ndihmon në uljen e rrezikut për mbipeshë që në fëmijëri.

“Fatkeqësisht, në vendin tonë po vërehet rënie e shifrave të ushqyerjes ekskluzive me gji, e cila është një nga elementët më të rëndësishëm për parandalimin e obezitetit”.

Ekspertët paralajmërojnë se pasojat e obezitetit janë serioze për shëndetin. Ajo rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje kronike si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe disa forma kanceri.

Në nivel global, vlerësohet se rreth 3 miliardë njerëz janë mbi peshë ose obezë, ndërsa parashikimet tregojnë se deri në vitin 2035 kjo shifër mund të arrijë në rreth 4 miliardë.

Share This Article