Të tjera detaje kanë dalë nga grabitja e pikës së këmbimit valutor në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë, ngjarje e ndodhur mëngjesin e së enjtes.
Sipas informacioneve nga policia, 42-vjeçari Luan Maçi, i arrestuar vetëm pak orë pas grabitjes, ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve të Komisariatit Nr. 4., ku ka deklaruar se ishte i detyruar të kryente grabitjen për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të nënës së tij.
Sipas hetimeve, Maçi hyri gjatë orëve të mëngjesit në një pikë “Exchange” pranë një qendre tregtare në rrugën “5 Maji”, ku kërcënoi punonjësen me armë zjarri dhe arriti të marrë rreth 3 milionë lekë.
Arratia e tij zgjati vetëm disa orë, pasi policia arriti ta identifikojë dhe ta vërë në pranga. Burime bëjnë me dije se 42-vjeçari rezulton edhe me precedentë të mëparshëm penalë për vepra të ndryshme.
Një detaj që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me përpjekjen e tij për të fshehur identitetin. Në momentin e grabitjes ai ishte i veshur me rroba të zeza dhe me mjekër, ndërsa sapo ka mbërritur në banesë dyshohet se ka rruar mjekrën me shpresën për të shmangur identifikimin nga policia.




