Përmbytjet në Gjirokastër, deputeti demokrat Shehu në Parlament: Qeveria po e lë Shqipërinë si në kohën e Sulltanit…

Jugulajm.net
2 Min Read

Gjatë seancës parlamentare, deputet i PD-së për Qarkun Gjirokastër, Tritan Shehu, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e krahasuar atë me një “sulltanat” që i trajton qytetarët si “skllevër”.

Gjatë fjalimit në Kuvend, ai denoncoi neglizhencën e qeverisë ndaj dëmeve në Qarkun e Gjirokastrës dhe gjendjen kritike të sistemit shëndetësor, duke theksuar se mazhoranca po e lë vendin në një gjendje të mjeruar, të ngjashme me periudhën osmane.

Duke iu referuar situatës pas përmbytjeve në Gjirokastër, Shehu akuzoi qeverinë për refuzimin e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Sipas tij, ky vendim ka bërë që dëmet të jenë dhjetë herë më të mëdha, me një infrastrukturë të shkatërruar dhe pa asnjë ndërhyrje për riparimin e saj.

“Qëndrimi juaj ishte krejtësisht antinjerëzor dhe cinik,” deklaroi ai, duke shtuar se qytetarët dhe bizneset e prekura nuk kanë marrë asnjë kompensim. Kritikat vazhduan edhe në fushën e shëndetësisë. Deputeti vuri në dukje se propozimi i opozitës për rritjen e buxhetit të shëndetësisë nga 2.9% në 3.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto u refuzua, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) rekomandon një minimum prej 4.5% për vende si Shqipëria.

Kjo situatë, sipas tij, i vendos shqiptarët në të njëjtin nivel me vendet afrikane, ku qytetarët detyrohen të paguajnë mbi 50% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi. Një tjetër pikë e nxehtë ishte rimbursimi i medikamenteve. Ai theksoi se në Shqipëri rimbursohet vetëm 40-45% e vlerës së ilaçeve, ndërsa standardi europian është mbi 90%. Propozimi për dyfishimin e fondit për rimbursim u rrëzua, siç u shpreh ai, “me arrogancën e sulltanit”.

Në përfundim të fjalës së tij, deputeti paralajmëroi qeverinë se durimi i popullit po mbaron. “Populli po zgjohet. Ata që ju i konsideroni skllevër, po zgjohen dhe po mbushin rrugët”, përfundoi ai, duke paralajmëruar për protesta masive dhe rrëzimin e atij që e cilësoi si “sulltanati” në pushtet.

Share This Article