Plagosi me thikë vajzën, zbardhet dëshmia e babait: Ja si ndodhi ngjarja…

Jugulajm.net
3 Min Read

56-vjeçari Mikel Ndoji, i cili plagosi me thikë vajzën e tij 24-vjeçare një ditë më parë në Durrës ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen.

Para hetuesve, ai ka treguar se si ka degraduar situata deri në plagosje me thikë, ndërsa shprehet i penduar për veprimin e tij.

Ai tregon se çdo gjë ka ndodhur shumë shpejt dhe se pas ngjarjes ishte fshehur pranë një reparti zjarrfikës të zonës.

“Shkova te vendi i punës së vajzës pasi nuk po më përgjigjej në telefon. Dua të ribashkohem me familjen por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte të bënte më me mua, më shpërfillte, më injoronte. Shkova për t’i thënë se doja të bisedoja me të, por më tha se nuk dua të kem asnjë lidhje me ty, për mua nuk ekziston më. Në këtë moment m’u errësuan sytë, i thashë hajde dalim pak përjashta që të flasim. Ajo më shtyu. Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi. Ishte edhe një djalë aty që ndërhyri në ato momente. Teksa po tentonte të më largonte u pre nga thika edhe ai. Më pas ika dhe u fsheva diku afër repartit të zjarrfikëses. Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur. Unë isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. U kërkoj falje vajzës dhe djalit që u plagos. Djalin nuk e njihja fare. Nuk di çfarë të them, ndihem shumë keq”, ka dëshmuar 56-vjeçari.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr.12 të qytetit, ndërsa shkak është bërë refuzimi i vajzës Xhesika Ndoj për t’u mos u bashkuar me të atin.  Prindërit e vajzës ishin divorcuar 6 vite më parë për shkak të dhunës në familje dhe 56-vjeçari ishte larguar në Itali.

Ndoj rezulton një person me precedent penal në shtetin Italian për dhunë, vepër për të cilën kishte kryer edhe disa vite burg. Mirëpo, së fundmi ai ishte rikthyer për t’u ribashkuar me familjen, gjë që është kundërshtuar nga e reja.

Kaq ka mjaftuar që 56-vjeçari të shkonte te puna e vajzës, me të cilën është konfliktuar dhe më pas e ka goditur me thikë. Ndërkohë një kalimtar, shtetasi Onard Memlika, ka ndërhyrë për të parandaluar ngjarjen, por ka përfunduar i plagosur.

Share This Article