Greqia ka prezantuar një projekt-ligj të ri nga Ministria e Migracionit dhe Azilit që synon të trajtojë vonesat kronike në lëshimin dhe rinovimin e lejeve të qëndrimit për emigrantët që jetojnë në vend.
Me rregullat e reja, rreth 90,000 leje të bllokuara do të zhbllokohen menjëherë, ndërsa pritet që brenda dy viteve të tjera të rregullohen edhe rreth po aq kërkesa të tjera të ngelura pezull, siç raportohet në mediat greke.
Ministria këmbëngul se reformat synojnë uljen e burokracisë, përmirësimin e funksionimit të sistemit dhe mbështetjen e ekonomisë greke përmes mbushjes së boshllëqeve në forcën punëtore, ndonëse qeveria gjithashtu thekson një qëndrim të rreptë ndaj migracionit të paligjshëm.
“Me projektligjin e ri për imigracionin e ligjshëm, po i japim fund vonesave kronike dhe bllokimeve burokratike që kanë prekur punëtorët dhe bizneset”, tha për një intervistë Ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris.
Sipas të dhënave, në Greqi jetojnë rreth 793,000 emigrantë me leje qëndrimi, por pothuajse 293,000 aplikime për leje qëndrimi janë ende në pritje për shkak të vonesave administrative, çka ka shkaktuar pasiguri për migrantët në punë dhe integrim social.
Në kuadër të ndryshimeve përfshihet edhe rinovimi automatik i lejeve të caktuara, veçanërisht kur emigranti vazhdon të punojë për të njëjtin punëdhënës, si dhe masa për t’i dhënë mundësinë migrantëve që kanë qenë në vend ligjërisht për pesë vjet e më shumë të rishikojnë aplikimet e mëparshme nëse ishin refuzuar për arsye formale.




