Prangoset 42-vjeçari, u kap me qindra ilaçe të skaduara dhe kontrabandë

Jugulajm.net
2 Min Read

Policia ka goditur një rast të hedhjes në treg të ilaçeve të skaduara dhe të futura kontrabandë, pa faturë tatimore, duke finalizuar operacionin policor të koduar “Skadenca”, pas një hetimi disamujore të ndjekur me metoda speciale.

Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi B. B., 42 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se magazinonte në banesën e tij medikamente të ndryshme, një pjesë e konsiderueshme e të cilave ishin të skaduara, ndërsa pjesa tjetër pa faturë tatimore, të dyshuara si të futura kontrabandë. Më pas, këto produkte hidheshin në treg duke furnizuar farmaci të ndryshme në qytetin e Fierit.

Gjatë kontrollit të banesës, të autorizuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale gjithsej 4 289 kuti me medikamente, nga të cilat 1 635 kuti të skaduara dhe 2 654 kuti pa faturë tatimore.

Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo veprimtari e paligjshme ishte ushtruar prej një periudhe të gjatë kohore, me qëllim përfitimi financiar. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale që lidhen me prodhimin dhe tregtimin e barnave të rrezikshme, fshehjen e të ardhurave dhe mallrat kontrabandë.

Share This Article